
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë akuzoi të shtunën autoritetet kosovare për ndalimin e tre pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe një oficeri të pensionuar në pikat kufitare. Sipas saj, ndalimet janë “hakmarrje politike” pas arrestimit nga Serbia të një ish-pjesëtari të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Në të njëjtën ditë, ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se një shtetas kosovar nga komuniteti serb, Nikolla Vujoviq, është privuar nga shtetësia për “cenim të sigurisë kombëtare”, pa dhënë detaje për arrestimin e tij.
Ndërkohë, autoritetet serbe mbajnë në paraburgim Arbnor Spahiun, ish-pjesëtar i njësisë speciale të Policisë së Kosovës, i arrestuar më 7 qershor, nën dyshimin për përfshirje në vrasjen e tre sulmuesve serbë në incidentin e Banjskës në shtator 2023. Avokati i tij ka apeluar vendimin për paraburgim.
Autoritetet në Prishtinë nuk kanë komentuar ende për ndalimet e fundit, ndërsa arrestimi i Spahiut është dënuar nga qeveria e Kosovës.