
Presidenti Donald Trump pritet të vendosë brenda tre ditëve nëse SHBA do të ndërhyjë ushtarakisht kundër Iranit, në mbështetje të ofensivës izraelite që ka nisur tashmë bombardimet ndaj objektivave strategjike iraniane.
Trump ka lëshuar një ultimatum për “dorëzim të pakushtëzuar” nga regjimi i Teheranit. Burime të NATO-s thonë se deri të premten, kapaciteti ofensiv amerikan në rajon do të jetë në maksimum.
SHBA ka dislokuar dy aeroplanmbajtëse (Nimitz dhe Vinson), një kryqëzor, tre shkatërrues, si dhe skuadrilje ajrore F-35 dhe F-16. 28 avionë cisternë janë aktivizuar për mbështetje logjistike. Arsenali përfshin edhe bombat “bunker-buster” për objektiva të thellë nëntokësorë si kompleksi Fordow.
Izraeli ka zgjeruar ofensivën ajrore mbi Iranin. Kundërsulmet me raketa dhe dronë kanë goditur Tel Avivin dhe Haifën. Zyrtarë amerikanë dhe aleatë në rajon po përgatiten për një konflikt të gjerë që mund të destabilizojë infrastrukturën energjetike në Gjirin Persik.
Trump braktisi samitin e G7 dhe u kthye urgjentisht në Uashington për konsultime në dhomën e situatave të Shtëpisë së Bardhë. Një vendim për përfshirje direkte të SHBA-së në operacionet ajrore pritet “më së voni deri të premten”, sipas burimeve ushtarake të NATO-s.