
Të hënën, më 30 qershor, në orën 10:00, në Gjykatën e Posaçme do të zhvillohet seanca e parë për gjykimin në themel të dosjes “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe tre persona të tjerë.
Berisha përballet me akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë, ndërsa Malltezi akuzohet për përfitime të paligjshme prej 5.4 milionë eurosh nga një projekt ndërtimi, që sipas SPAK është favorizuar përmes vendimeve të qeverisë gjatë mandatit të Berishës.
Berisha ndodhet nën masën “detyrim paraqitje”, ndërsa Malltezi është në “arrest shtëpie”, vendim që u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë pas apelimit të tij.
Kjo do të jetë përballja e parë në gjykatë pas përfundimit të hetimeve dhe kalimit të çështjes për gjykim në themel.