
Prishtinë, 14 korrik 2025 – Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike në vend që të lënë mënjanë përplasjet dhe të arrijnë një kompromis për konstituimin e Kuvendit, në prag të seancës së 47-të të thirrur për këtë qëllim.
“Me respektin më të madh, i inkurajoj të gjitha partitë që të gjejnë frymën e kompromisit dhe të mundësojnë formimin e Kuvendit dhe një qeverie funksionale,” deklaroi Guerot në një pritje zyrtare me rastin e Ditës Kombëtare të Francës.
Ai theksoi se ngërçi politik po dëmton marrëdhëniet bilaterale, duke penguar nënshkrimin e projekteve mes Kosovës dhe Francës. Ambasadori konfirmoi mbështetjen e plotë të Parisit për Kosovën dhe të gjitha komunitetet e saj.
Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet më 15 korrik për përpjekjen e 47-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë, pas afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.