
Një ngjarje e rëndë dhune është regjistruar mbrëmjen e së shtunës, 27 korrik, në një lokal në zonën e Skelës, Vlorë. Ish-shefi i qarkullimit rrugor Ardian Isufi, aktualisht efektiv i Policisë Kufitare në Dibër, dhe Leart Bimo, një person me precedent penal, kanë ushtruar dhunë ndaj një kamerieri 18-vjeçar për një bidon uji.
Kamerieri ka treguar se konflikti nisi për një porosi të gabuar, ndërsa njëri prej autorëve e ka ofenduar dhe më pas e ka goditur me shpullë dhe grushta, në prani të klientëve.
Policia reagoi menjëherë të dielën, duke pezulluar nga detyra Ardian Isufin dhe duke nisur një procedurë disiplinore të rëndë ndaj tij.
Reagimi i Ramës
Kryeministri Edi Rama, që të dielën reagoi ndaj ngjarjes, kërkoi përjashtimin e menjëhershëm dhe pa kthim të Isufit nga Policia e Shtetit, si dhe dorëzimin e tij në drejtësi. Ai paralajmëroi se në pakon e re të reformës për kontrollin e territorit do të rritet përgjegjësia ligjore për çdo punonjës të shtetit, brenda dhe jashtë orarit të shërbimit.
“Çdo punonjës shteti që shkel ligjin do të përjashtohet dhe do të ndiqet penalisht, pa mundësi kthimi në detyrë,” tha Rama.