18.09.2026
Sociale

BE: 28 MILIONË EURO PËR USHTRINË SHQIPTARE

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, e ka cilësuar Shqipërinë një “partner të afërt dhe të qëndrueshëm” të Bashkimit Europian në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Në një postim në X, ai vuri në dukje miratimin e paketës së dytë të asistencës për Forcat e Armatosura Shqiptare.

Nga Mekanizmi Europian për Paqen, BE ka ndarë 15 milionë euro shtesë, duke e çuar totalin e ndihmës në 28 milionë euro. “Ky është një hap tjetër i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit BE–Shqipëri në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes,” theksoi Gonzato.

Edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, u shpreh se Shqipëria mbetet një kontribues i rëndësishëm në operacionet e bllokut dhe një aleat i NATO-s. “Forcimi i bashkëpunimit për sigurinë dhe mbrojtjen me Shqipërinë forcon drejtpërdrejt stabilitetin dhe paqen e Europës,” tha ajo.

Kujtojmë se marrëveshja për partneritet të ri në fushën e sigurisë u firmos në nëntor 2024, ndërsa në prill 2025 nisi Dialogu i Përbashkët për Sigurinë dhe Mbrojtjen. Ndihma e parë prej 13 milionë euro u dha në korrik 2024.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.