
Richard Grenell, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për misione të posaçme dhe ish-i dërguari i SHBA-së për dialogun Prishtinë–Beograd, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në burgun e Hagës.
Në një postim në “X”, Grenell tha se “është e turpshme që Thaçi ndodhet ende në burg”, duke kujtuar se ishte Jack Smith, ish-prokurori i Gjykatës Speciale – i njëjti që hetoi edhe presidentin Trump – ai që e arrestoi Thaçin në vitin 2020. “Është një farsë. Gjykata e Hagës ka dështuar,” shkroi ai.
Reagimi i Grenell erdhi pas intervistës së Thaçit për Klan Kosova, ku ish-presidenti tha se rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë do të ishte një mundësi e artë për Kosovën dhe Ballkanin. “Unë jam i privuar përkohësisht, por populli im është i lirë përjetësisht,” u shpreh Thaçi.
Më 15 shtator pritet të nisë paraqitja e provave nga mbrojtja e Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.