
Athinë, 9 korrik — Greqia do të ndalojë për tre muaj shqyrtimin e kërkesave për azil nga emigrantët që mbërrijnë me anije nga Afrika e Veriut. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis njoftoi vendimin në parlament, duke paralajmëruar një linjë më të ashpër ndaj kalimeve ilegale.
“Rruga për në Greqi po mbyllet. Çdo emigrant që hyn ilegalisht do të arrestohet dhe ndalohet,” deklaroi Mitsotakis. Projektligji pritet të votohet të enjten. Athina ka informuar Komisionin Europian për masat e reja.
Vendimi vjen pas mbërritjes së mbi 2 mijë migrantëve në Kretë, destinacion turistik kyç, duke shkaktuar shqetësim në radhët e autoriteteve lokale dhe industrisë së turizmit. Roja bregdetare shpëtoi të mërkurën rreth 520 migrantë pranë Kretës, të cilët po devijohen drejt portit të Lavrios në Athinë.
Greqia ka kërkuar bashkëpunim me autoritetet në Bengazi dhe Tripoli për të frenuar flukset, por përpjekjet diplomatike kanë dështuar. Vizita e përbashkët e zyrtarëve të BE-së dhe ministrave të migracionit të Greqisë, Italisë dhe Maltës u anulua në moment të fundit nga autoritetet libiane.