
Nga Simon Nixon
Problemi me negociatat me administratën Trump është se askush nuk mund të jetë i sigurt për një marrëveshje derisa vetë presidenti ta ketë miratuar personalisht. Kjo pasiguri nuk i kursen as këshilltarët e tij, më tha javën e kaluar një zyrtar evropian që ka përvojë të drejtpërdrejtë në bisedimet me këtë qeveri amerikane. Mund të të duket sikur po bën përparim me negociatorët amerikanë, por “Arti i Marrëveshjes” është një shfaqje televizive që luhet 24 orë në ditë. Asnjëherë nuk e di çfarë kthesash të reja mund të shpiken për të mbajtur publikun të argëtuar.
Kështu ndodhi që fundjavën e kaluar Komisioni Evropian u kap i papërgatitur nga kërcënimi i Trump për të vendosur një tarifë 30% mbi të gjitha importet nga Bashkimi Evropian. Dhe kjo ndodhi vetëm pak ditë pasi zyrtarët në Bruksel ishin optimistë se një marrëveshje ishte pranë. BE-ja ishte e gatshme, me hezitim, të pranonte një tarifë bazë 10% – të ngjashme me atë të pranuar nga Britania – dhe po përpiqej të siguronte përjashtime nga tarifat ekzistuese dhe ato të planifikuara për automjetet, çelikun, aluminin dhe produktet farmaceutike. Tani duket qartë se edhe kjo marrëveshje e pakënaqshme nuk është më në tryezë.
Nga ana tjetër, dështimi për të gjetur një marrëveshje mund të ketë pasoja shumë të rënda ekonomike, sidomos nëse Trump e vë në zbatim kërcënimin e tij. Komisioneri i tregtisë së BE-së, Markus Sefkovic, ka të drejtë kur thotë se një tarifë 30% do të bllokonte praktikisht tregtinë transatlantike dhe do të ishte katastrofike për ekonominë evropiane dhe atë botërore – madje edhe para se Brukseli të kundërpërgjigjej. Bashkë, BE dhe SHBA përbëjnë 43% të PBB-së globale dhe 30% të tregtisë botërore. Kjo tregon se kërcënimi është më shumë një taktikë negociuese. Por çfarë mund ta kënaqë Trump-in? Nëse kjo ka qenë e paqartë më parë, tani është edhe më e mjegullt.
As tregjet financiare nuk duket se po ndihmojnë. Kur Trump shpalli tarifat e tij të “Ditës së Çlirimit” më 2 prill, reagimi i ashpër i tregjeve e detyroi të tërhiqej pas një jave. Tani ai thotë se do të godasë BE-në me një tarifë edhe më të lartë se 20% që kishte përmendur atëherë, por tregjet mezi kanë reaguar. Në fakt, duke llogaritur të gjitha tarifat e fundit që hyjnë në fuqi në fillim të gushtit – 50% për Brazilin, 30% për Meksikën, 35% për Kanadanë dhe 25% për Japoninë e Korenë e Jugut – norma mesatare e tarifave të SHBA-së do të ngrihet mbi 20%, nga rreth 13% tani dhe pak mbi 2% në fillim të vitit. Kjo është afër nivelit që i frikësoi investitorët në prill.
Vetëkënaqësia e tregjeve shpjegohet pjesërisht me idenë “TACO” – pritshmëria se “Trump Always Chickens Out” (Trump gjithmonë tërhiqet në fund). E vetmja gjë që ndryshoi fundjavën e kaluar është se presidenti shtyu afatin e BE-së për të arritur një marrëveshje edhe me tre javë. Ndërkohë, investitorët po bëhen më optimistë për ekonominë amerikane, të nxitur nga paketa e uljes së taksave të Trump-it dhe potenciali transformues i inteligjencës artificiale. Paralajmërimet e ekonomistëve për inflacion dhe ngadalësim të rritjes ende nuk reflektohen në shifrat ekonomike.
Kjo e bën situatën edhe më të rrezikshme. BE-ja nuk ka shumë opsione: ose të pranojë një marrëveshje më të keqe se çdo gjë që do të kishte pranuar para disa javësh, ose të presë për një marrëveshje të pranueshme dhe të kundërpërgjigjet nëse kjo nuk ndodh, duke shpresuar që tronditja ekonomike t’i zgjojë tregjet. Gjithashtu ekziston rreziku që Trump të përdorë si presion edhe fusha të tjera të marrëdhënieve, përfshirë garancitë e sigurisë.
Megjithatë, BE-ja mund të detyrohet të reagojë nëse Trump vazhdon me kërkesa të papranueshme. Një marrëveshje e keqe, që do të ngarkonte eksportet evropiane me tarifa 20% ose më shumë, do të dëmtonte seriozisht besueshmërinë e BE-së, sidomos në krahasim me Britaninë e pas-Brexit që ka tarifa vetëm 10%. Madje, mund të duket sikur minimi i legjitimitetit të BE-së është një pjesë e qëllimit të Trump-it. Përveç kësaj, rreziku që Trump të tërhiqet nga garancitë e sigurisë duket më i vogël pas samitit të fundit të NATO-s dhe ndryshimit të qëndrimit të tij për furnizimin e Ukrainës me armë.
Por, kush mund të thotë me siguri çfarë do të vendosë Trump më pas? As vetë ai nuk e di.
Simon Nixon është komentator i pavarur dhe botues i buletinit Wealth of Nations në Substack.