
Gjykata e Lartë e Bosnjës dhe Hercegovinës ka revokuar sot urdhrin e arrestit ndaj Milorad Dodik, presidentit të entitetit të Republikës Srpska, pasi ky i fundit pranoi të paraqitej vullnetarisht për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Sarajevës, nën dyshimin për “sulm ndaj rendit kushtetues”.
Vendimi u mor me kërkesë të prokurorit të çështjes, pasi gjykata vlerësoi se nuk ekzistojnë më arsyet që justifikuan masën. Në vend të arrestit, ndaj Dodikut u vendos masa e detyrimit për paraqitje periodike në stacionin e policisë në Laktaši çdo 15 ditë. Masa do të rishikohet çdo dy muaj, sipas deklaratës së përbashkët të gjykatës dhe prokurorisë.
Urdhri i arrestit, i lëshuar në mars 2025, përfshinte edhe kryeministrin Radovan Viškovi? dhe kryetarin e Asamblesë Kombëtare të RS-së, Nenad Stevandi?. Dodik, megjithatë, kishte vazhduar të udhëtonte jashtë vendit, përfshirë vizita në Serbi, Rusi dhe Hungari, i shoqëruar nga policia e RS-së.
Vendimi i sotëm ka shkaktuar kritika të forta nga përfaqësues të institucioneve shtetërore të Bosnjës dhe nga opozita në RS, të cilët e quajnë aktin produkt të një marrëveshjeje politike. Vetë Dodik u shpreh se nuk ndihej triumfues, por i lodhur, dhe se procesi ndaj tij do të vijojë.