19.09.2026
Politike

Gjykata heq masën “arrest shtëpie” për Malltezin, cakton garanci pasurore 3 milionë lekë

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur sot të heqë masën e “arrestit shtëpiak” ndaj Jamarbër Malltezit, dhëndrit të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Në vend të kësaj mase, Malltezit i është caktuar një garanci pasurore prej 3 milionë lekësh.

Masa e re u vendos pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga avokatët e tij për ndryshimin e masës së sigurisë në lidhje me hetimet për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Malltezi ndodhej në arrest shtëpie që prej nëntorit të vitit 2023. Ai akuzohet për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në bashkëpunim me Sali Berishën, si dhe për “pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Sipas SPAK, ai ka përfituar në mënyrë të parregullt duke shfrytëzuar ndikimin e ish-kryeministrit.

Malltezi është një nga pesë të pandehurit në dosjen “Partizani”, ku përfshihet edhe vetë Berisha. Vendimi i sotëm nuk ndikon në vazhdimësinë e hetimeve për këtë çështje.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.