
Lipjan, 9 korrik — Inspektorati Policor i Kosovës ka pezulluar nga detyra pesë efektivë policie, përfshirë një rreshter, pas vdekjes së një 27-vjeçari gjatë një ndërhyrjeje policore në Lipjan. Prokuroria ka nisur hetim penal ndaj tyre, ndërsa të gjithë janë ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Ngjarja ndodhi të hënën, kur 27-vjeçari, sipas Policisë, u bë jobashkëpunues gjatë përpjekjes për ta shoqëruar në komisariat dhe tentoi të largohej. Efektivët përdorën sprej për ta neutralizuar dhe thirrën urgjencën, duke raportuar gjendje të rënduar shëndetësore dhe psikologjike të të riut.
Ekipi mjekësor mbërriti brenda pak minutash, por konstatoi vdekjen në vendngjarje. Gjatë kontrollit, në trupin e viktimës u gjet një sasi e dyshuar lënde narkotike, e cila është dërguar për analizë.
Hetimet po zhvillohen nga Prokuroria për Krime të Rënda në bashkëpunim me Inspektoratin Policor dhe njësitë hetimore. Pamjet e kamerave dhe provat materiale janë dorëzuar tek autoritetet përkatëse. Trupi i pajetë është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Autoritetet kanë njoftuar se hetimet janë në vazhdim dhe se çdo veprim procedural do të kryhet në përputhje me ligjin.