
Gjykata Kushtetuese e Kosovës urdhëroi që kryetari i Kuvendit të zgjidhet me votim të hapur dhe që konstituimi i organit ligjvënës të përfundojë brenda 30 ditësh. Në aktgjykimin e 8 gushtit, Kushtetuesja konstatoi se kryesuesi Avni Dehari nuk ka vepruar sipas vendimit të 26 qershorit dhe shpalli të pavlefshme të gjitha seancat nga 27 qershori deri më 26 korrik.
Gjykata i kërkoi kryesuesit të rikthehet te pika 3 e rendit të ditës (8 prill 2025), të ftojë grupin më të madh parlamentar të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe të zhvillojë votim të hapur, deri në tre raunde për të njëjtin kandidat. Gjatë procedurës, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë.
Vendimi vjen pas përplasjeve për mënyrën e votimit. Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun dhe ka argumentuar për votim të fshehtë; më 1 maj, Dehari ndryshoi rendin e ditës për të mundësuar një komision mbikëqyrës për votim të fshehtë, të kundërshtuar nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe.
Para 1 majit, kur aplikohej votimi i hapur, Haxhiu nuk arriti pragun prej 61 votash. Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit zhvilluan 54 seancash mes datës 15 prill dhe 26 korrik, por pa arritur ta konstituonin dot Kuvendin.