
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka detyruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të pranojë Listën Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Vendimi i mëparshëm i KQZ-së për refuzim u shpall i pavlefshëm.
Sipas PZAP-it, Lista Serbe ka përmbushur të gjitha kushtet ligjore dhe KQZ nuk mund ta pengojë pjesëmarrjen e saj pa arsye të qarta. Në vendim theksohet se e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur është e garantuar me Kushtetutë.
KQZ e ka pranuar vendimin, ndërsa palët kanë 48 orë kohë për të bërë ankesë në Gjykatën Supreme. Refuzimi i certifikimit u kritikua edhe nga vendet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian.
Në mbledhjen e 21 gushtit, përfaqësuesit e Vetëvendosjes kundërshtuan hapur, duke e quajtur Listën Serbe “dorë e zgjatur e Beogradit”. PDK, LDK dhe AAK abstenuan. Beogradi dhe Lista Serbe reaguan duke folur për përjashtim politik të serbëve nga zgjedhjet.
Nëse certifikohet, Lista Serbe pritet të rikthejë pushtetin në katër komunat veriore me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.