
Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin X ndaj kritikave për draftin e ri të Kodit Penal, duke ironizuar zërat që paralajmërojnë kufizim të lirisë së shprehjes. “Të alarmuarit duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell,” shkroi Rama.
Ai theksoi se drafti është prezantuar publikisht për konsultim dhe për të mbledhur opinione në mënyrë transparente. Sipas tij, shqetësimi për kufizimin e lirisë është i paarsyeshëm dhe problemi real është abuzimi me lirinë.
Drafti i ri parashikon ndarjen e qartë mes krimeve dhe kundërvajtjeve penale, si dhe konceptin e “krimit shumë të rëndë”, për vepra me dënim mbi 10 vjet ose të kryera nga organizata kriminale.
Propozimi është kritikuar edhe nga drejtues të institucioneve të drejtësisë. Kreu i SPAK, Altin Dumani, dhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, kanë shprehur rezerva mbi nevojën për një kod tërësisht të ri. Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, dhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, kanë kërkuar që ndryshimet të jenë të kuptueshme dhe me bazë morale.
Nga politika, Sali Berisha ka deklaruar se ndryshimet “lirojnë të dënuarit e përjetshëm”, ndërsa LZHK i ka cilësuar si lehtësuese për krimin dhe ndëshkuese për qytetarët.