
Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin thanë se patën përparime në takimin e tyre në Alaska, por nuk arritën një marrëveshje për luftën në Ukrainë.
“ Nuk ka marrëveshje derisa të ketë marrëveshje,” tha Trump, duke pranuar se ende mbeten disa mosmarrëveshje. Ai shtoi se shumë pika janë dakordësuar, por një çështje e rëndësishme mbetet e pazgjidhur. Trump njoftoi se do të kontaktojë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe udhëheqësit evropianë.
Putin u shpreh se është “sinqerisht i interesuar” për t’i dhënë fund konfliktit, por paralajmëroi se Rusia duhet të trajtojë “shkaqet kryesore” të luftës dhe kërkoi që Ukraina dhe Europa të mos “sabotojnë” bisedimet.
Të dy liderët e përshkruan takimin si një hap të parë drejt zgjidhjes. Trump tha se mund të ketë një takim tjetër me Putinin, ndërsa presidenti rus u përgjigj: “Herën tjetër në Moskë.”