
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, përsëriti sot domosdoshmërinë që reforma zgjedhore të futet në axhendën prioritare të Kuvendit të ri, duke propozuar 14 pika që duhet të rishikohen.
Si problem kryesor ai veçoi përbërjen partiake të komisioneve zgjedhore të niveleve të ulëta, të cilat i quajti “një dështim” për profesionalizmin dhe integritetin e procesit. Celibashi përmendi gjithashtu nevojën për rishikimin e financimit të partive, rregullat për aktivitetet publike gjatë fushatës dhe vendimin mbi zgjerimin e votimit elektronik.
Sa i takon detyrimit prej 863 milionë lekësh ndaj DHL për shërbimin postar të diasporës në zgjedhjet e 11 majit, Celibashi tha se pagesa nuk është refuzuar, por do të kryhet vetëm pasi të verifikohet cilësia dhe korrektësia e shpërndarjes së fletëve të votimit. DHL ka paralajmëruar edhe kamatëvonesa prej 26 milionë lekësh nëse shuma nuk shlyhet brenda shtatorit.