
Partia Demokratike kërkon që Erion Veliaj të jetë i pranishëm të martën, kur Këshilli Bashkiak i Tiranës do të diskutojë shkarkimin e tij. Qëndrimin e bëri publik Ilir Alimehmeti, kryetar i grupit të këshilltarëve demokratë që kanë nisur procedurat.
Alimehmeti tha se PD e ka konsideruar prej vitesh përgjegjës Veliajn për administrimin e Tiranës, duke përmendur inceneratorët, projektin “5D” dhe përdorimin e taksave, ndërsa pretendoi se mbi 2 miliardë euro janë menaxhuar pa një vepër të madhe të prekshme.
Veliaj ka kërkuar të marrë pjesë në mbledhjen e 23 shtatorit. Ai ndodhet në paraburgim që prej shkurtit, si i pandehur nën akuzat e SPAK. Alimehmeti theksoi se edhe i pandehuri ka të drejtë të dëgjohet dhe se PD kërkon që ai t’u përgjigjet pyetjeve të Këshillit.
Sipas Alimehmetit, kërkesa për shkarkim është e kahershme dhe u formalisua në maj, por nuk u mor parasysh nga shumica socialiste. Ai shtoi se çështja ka lëvizur pas një vendimi politik të kryeministrit, ndërsa brenda grupit të PS-së në Këshill ka ndasi.
Alimehmeti iu referua ligjit për vetëqeverisjen vendore, sipas të cilit Këshilli i Ministrave mund të shkarkojë kryebashkiakun në rast shkeljesh të rënda ligjore ose të Kushtetutës, vendimi të formës së prerë apo mosparaqitjeje të pandërprerë për tre muaj, me propozim të Këshillit Bashkiak.