
Shqipëria ka marrë për herë të parë kryesimin e Komitetit Monitorues të programit “Interreg Europe”, një nismë kyçe e BE-së për bashkëpunimin ndërrajonal.
Që nga 1 korriku 2025, drejtimi i është besuar Agjencisë Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC), me mandat deri në dhjetor 2025. Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria do të koordinojë aktivitetet e programit dhe do të organizojë dy ngjarje kryesore: një takim online parapërgatitor në tetor dhe mbledhjen kryesore në Tiranë në dhjetor, me pjesëmarrjen e 36 vendeve.
Përfshirja e Shqipërisë në program është rritur ndjeshëm, me mbi 30 organizata vendore dhe 34 partneritete projektesh në fusha si tranzicioni i gjelbër, ekonomia blu, menaxhimi i ujit, turizmi kulturor dhe inovacioni territorial. Projekte si WATERADAPT, COAST CRAFT dhe NATUREFIN kanë ndihmuar bashkitë shqiptare të përshtaten ndaj ndryshimeve klimatike dhe të mbrojnë biodiversitetin.
Drejtoresha e SASPAC, Eridana Cano, e cilësoi kryesimin si një tregues të rolit në rritje të Shqipërisë në vendimmarrjen evropiane dhe një mundësi për të sjellë rezultate konkrete për komunitetet lokale.