
Ministrat e Ekonomisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor miratuan dje një paketë historike masash ekonomike në kuadër të Procesit të Berlinit, gjatë një takimi të organizuar nga qeveria britanike.
Paketa, e lehtësuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC), synon të përshpejtojë integrimin ekonomik rajonal përmes nismave në fushat e financave të qëndrueshme, investimeve, industrisë së gjelbër, turizmit dhe politikave sociale.
“Ky grup dokumentesh është një hap i madh drejt formimit të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe një dëshmi se bashkëpunimi rajonal funksionon,” deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së, Amer Kapetanovi?.
Pakoja përfshin 11 nisma, ndër to: koordinimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore, krijimin e standardit të bonove të gjelbra, një listë rajonale për financa të qëndrueshme, markën e përbashkët të turizmit dhe prokurimet publike të gjelbra.
Sipas RCC-së, rezultatet e arritura deri tani në kuadër të Procesit të Berlinit, përfshirë eliminimin e tarifave të roaming-ut dhe rritjen e tregtisë rajonale me mbi 66%, tregojnë se “Ballkani Perëndimor nuk po përgatitet më për integrim, por po e zbaton atë”.
Takimit i parapriu Forumi i Biznesit i Procesit të Berlinit, ku u prezantuan projekte për energji të pastër dhe zhvillim të qëndrueshëm. Dokumentet e miratuara do të përfshihen në agjendën e Samitit të Procesit të Berlinit që mbahet javën e ardhshme në Londër.