29.10.2026
Sociale

Protestë mbarëkombëtare në Tiranë për ish-krerët e UÇK-së

Në sheshin “Skënderbej” zhvillohet sot një protestë mbarëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Tubimi, me moton “Liria ka emër”, nis në orën 17:00 dhe pritet të mbledhë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare. Protesta organizohet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe mbështetet nga shoqata të ish-luftëtarëve, qytetarë të Kosovës, Shqipërisë dhe diasporës.

Për të lehtësuar pjesëmarrjen, qeveria ka vendosur që qarkullimi në Rrugën e Kombit të jetë pa pagesë gjatë ditës së sotme, ndërsa Komuna e Prishtinës ka ofruar mjete transporti për qytetarët që udhëtojnë drejt Tiranës.

Organizatorët kanë bërë thirrje për një protestë paqësore dhe dinjitoze, si shprehje e unitetit kombëtar dhe kërkesës për drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.