
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, është paraqitur këtë mëngjes në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për të diskutuar mbi masat e sigurisë në gjykatat e vendit.
Takimi vjen pas ngjarjes tragjike të javës së kaluar, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra brenda sallës së gjyqit, duke tronditur sistemin e drejtësisë dhe opinionin publik.
Vetëm disa ditë më parë, edhe kreu i Gardës së Republikës, Simon Zereci, kishte zhvilluar një takim me drejtuesin e Gjykatës së Posaçme (GJKKO), ku u kërkua inspektimi i ambienteve gjyqësore dhe forcimi i kontrolleve të sigurisë.
Pas vrasjes së gjyqtarit, gjyqtarët në të gjithë vendin zhvilluan Mbledhjen e Gjyqtarëve, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për garantimin e sigurisë në sallat e gjyqit dhe mbrojtjen e trupës gjyqësore.