
Gjykata Kushtetuese ka pezulluar sot dekretin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë.
Sipas burimeve nga seanca, gjykata vendosi njëzëri të kalojë çështjen me kërkues Erjon Veliaj në seancë plenare publike më 31 tetor 2025 dhe të pezullojë përkohësisht pjesën e dekretit që caktonte datën e zgjedhjeve në bashkinë e kryeqytetit.
Vendimi vjen pas ankimimit të ish-kryebashkiakut Veliaj ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij më 25 shtator. Ai e cilësoi vendimin antikushtetues, duke argumentuar se neni 62, mbi të cilin u bazua propozimi, nuk mund të zëvendësojë nenin 115 të Kushtetutës që parashikon shkarkimin vetëm për shkelje të rënda të ligjit ose të Kushtetutës.
Pavarësisht ankimit, Presidenti Begaj kishte dekretuar zgjedhjet e pjesshme në gjashtë bashki, përfshirë edhe Tiranën.