
Kuvendi i Kosovës u konstituua sot pas zgjedhjes së Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb, duke përmbyllur ngërçin institucional që zgjati tetë muaj.
Rashiq, kandidati i vetëm në garë pas dështimit të nëntë propozimeve të Listës Serbe, mori 71 vota pro, 9 kundër dhe 24 abstenime. Për të votuan deputetët e Vetëvendosjes dhe LDK-së, ndërsa PDK dhe AAK abstenuan; Lista Serbe votoi kundër.
Zgjedhja e tij u bë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha Kuvendit afat 12-ditor për të përfunduar procesin e konstituimit. Me këtë votim, Kuvendi i Kosovës shpallet zyrtarisht i konstituuar.