
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar në Kuvend 22 amendamente ndaj projektligjit për barazinë gjinore, duke përcaktuar qartë se në Shqipëri do të njihen vetëm dy gjini, mashkullore dhe femërore.
Ndryshimet mbajnë firmën e kreut të grupit, Taulant Balla, i cili kërkon që formulimet “pavarësisht përkatësisë gjinore” dhe “përkatësi e shumëfishtë” të zëvendësohen me shprehjen “trajtim i barabartë mes grave dhe burrave”.
Në relacionin që shoqëron draftin, socialistët theksojnë se konceptet e “gjinisë së shumëfishtë” apo “diversitetit seksual” nuk përputhen me kuadrin ligjor aktual, i cili pranon ndarjen binare burrë–grua dhe është i integruar në Kodin e Familjes, Kodin e Punës dhe ligjin për nëpunësit civilë.
Sipas Ballës, ndryshimet synojnë të harmonizojnë ligjin me legjislacionin ekzistues dhe me praktikat e Bashkimit Evropian. Ai thekson se Gjykata e Drejtësisë së BE-së mbron personat transgender nga diskriminimi, por nuk njeh “gjini të tretë”.
Amendamentet e PS-së fshijnë termin “përkatësi e shumëfishtë” në 15 raste të projektligjit, duke konfirmuar se ligji për barazinë gjinore do të vazhdojë të bazohet në konceptin klasik të ndarjes mes burrit dhe gruas.