
Shqipëria ka mirëpritur Forumin e parë të Investimeve Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë me pjesëmarrjen e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe kryeministrit Edi Rama.
Në hapje të forumit, Rama tha se Ballkani Perëndimor nuk është “një problem për t’u zgjidhur, por një zgjidhje që pret të integrohet”, duke e cilësuar rajonin si “laborator të rezistencës dhe hapësirë për inovacion evropian”. Ai theksoi nevojën për integrimin e zinxhirëve evropianë të vlerës në fusha si energjia, inteligjenca artificiale dhe prodhimi teknologjik.
Von der Leyen u shpreh se “e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian” dhe bëri thirrje për investime të menjëhershme në rajon, duke nënvizuar se Plani i Rritjes synon dyfishimin e PBB-së rajonale gjatë dekadës së ardhshme.
Në ditën e parë të forumit u nënshkruan disa letra qëllimi për projekte të përbashkëta në rajon, ndërsa diskutimet do të vijojnë me panele mbi energjinë, teknologjinë digjitale, bioekonominë dhe turizmin.
Forumi dyditor, i mbështetur nga Komisioni Evropian, synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së dhe të nxisë investimet e huaja në rajon.