
Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se Tirana do të mirëpresë më 13 dhe 14 tetor Forumin e Investimeve EU–WB6, një ngjarje që e cilësoi “historike” për ekonominë dhe diplomacinë rajonale.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama tha se forumi do të bashkojë vendet e Ballkanit Perëndimor, vendimmarrësit e Bashkimit Europian dhe investitorë nga e gjithë bota, duke e quajtur një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik në rajon.
Forumi do të fokusohet në partneritetin ekonomik BE–Ballkani Perëndimor, mundësitë e reja të investimeve në kontekstin gjeopolitik dhe rolin e WB6 si burim konkurrence e zhvillimi. Programi përfshin gjithashtu panele sektoriale mbi prodhimin, energjinë, teknologjinë digjitale, bioekonominë, turizmin dhe ekonominë qarkulluese.