
Kosova renditet e para në Europë për sigurinë publike dhe besimin në ligj, sipas vlerësimeve të fundit. Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Kushtim Kaloshi, thotë se ky pozicionim lidhet drejtpërdrejt me reformat e ndërmarra dhe funksionimin më efikas të institucioneve të drejtësisë, duke rritur edhe besimin e investitorëve të huaj.
Ministria e Drejtësisë thekson se sundimi i ligjit mbetet prioritet qeveritar. Funksionimi i plotë i Gjykatës Tregtare dhe asaj Administrative ka përshpejtuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për bizneset, ndërsa noterët dhe ndërmjetësimi po lehtësojnë barrën e sistemit. Presidenti i Dhomës së Tregtisë, Lulëzim Rafuna, thotë se një sistem i pavarur dhe efektiv ligjor është faktori kryesor për tërheqjen e investimeve.
Prishtina po punon edhe për krijimin e një gjykate rajonale arbitrazhi me seli në Trieste, që synon të rrisë sigurinë juridike për investitorët. Reformat përfshijnë gjithashtu konfiskimin e pasurive të pajustifikuara dhe verifikimin e gjyqtarëve, masa që qeveria synon t’i miratojë me shumicë të gjerë në Kuvend, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe integrimit europian.