
Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri të plotë dhe ka përforcuar shërbimet në të gjithë vendin për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë festave të fundvitit dhe ditëve të para të 2026-s. Plani i posaçëm parashikon shtim të patrullave me uniformë dhe të Policisë Kriminale, rritje të kontrolleve rrugore dhe përdorim të mjeteve inteligjente, për të ulur aksidentet dhe parandalur ngjarjet kriminale.
Në pikat kufitare do të shtohen sportelet dhe burimet njerëzore, ndërsa kontrollet në kufirin e gjelbër do të intensifikohen. Policia mohoi deklaratat e kreut të Sindikatës së Policisë për ekzistencën e urdhrave për kuota gjobash, duke theksuar se masat administrative vendosen vetëm për sigurinë rrugore.
Strukturat e sigurisë, përfshirë RENEA-n dhe Forcën e Posaçme Operacionale, do të jenë në gatishmëri të plotë. Policia u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast në numrin 112.