
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, gjatë vizitës së saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut, u takua në Tetovë me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, nënkryetarin Bujar Osmani, si dhe me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
Takimi u përqendrua në rolin e opozitës shqiptare në artikulimin e kauzave shqiptare dhe në avancimin e proceseve integruese euroatlantike. Spiropali theksoi se Shqipëria do të vijojë të mbështesë angazhimin konstruktiv të subjekteve politike shqiptare, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, veçanërisht në funksion të ruajtjes së stabilitetit, fqinjësisë së mirë dhe përshpejtimit të integrimit evropian të të dy vendeve.
Në ditën e dytë të vizitës, ministrja vizitoi edhe komunën e Tetovës.
Gjatë qëndrimit dyditor në Maqedoninë e Veriut, Spiropali zhvilloi gjithashtu takime me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, kryeministrin Hristijan Mickoski dhe zyrtarë të tjerë të lartë të vendit.