
Kuvendi hap sesionin mes përplasjeve, opozita bllokon foltoren
Punimet e sesionit të dytë të Legjislaturës XI në Kuvend nisën sot me tensione, pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren menjëherë pas Himnit Kombëtar.
Deputetët e Partisë Demokratike u grumbulluan rreth kryetarit të saj, Sali Berisha, i cili akuzoi mazhorancën për kapje të institucioneve, edhe pse nuk iu dha fjala. Protesta vijoi ndërsa kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, mbante fjalën hapëse.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, iu bashkua akuzave nga vendi, ndërsa opozita refuzoi të ulej në banka. Me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, Peleshi hodhi në votim pikat e rendit të ditës dhe mbylli seancën.
Kuvendi miratoi dy projektvendime për ndryshime në përbërjen e komisioneve të përhershme parlamentare, të dyja me shumicë votash. Më herët gjatë ditës, Konferenca e Kryetarëve miratoi programin dhe kalendarin e punimeve parlamentare dhe të kontrollit parlamentar për sesionin e ri.