
Shqipëria renditet ndër vendet me barrën më të lartë të shpenzimeve direkte për shëndetin në Ballkanin Perëndimor, sipas anketës “Securimetri 2025” të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.
Rreth 57% e familjeve shqiptare shpenzojnë nga 1% deri në 10% të të ardhurave për vizita mjekësore dhe barna, përqindja më e lartë në rajon për këtë kategori. Ndërkohë, 27% e familjeve detyrohen të shpenzojnë mbi 10% të të ardhurave, një nivel që konsiderohet kritik dhe rrit rrezikun e varfërimit.
Vetëm 9% e familjeve arrijnë t’i mbajnë shpenzimet shëndetësore nën 1%, niveli më i ulët në Ballkan, çka tregon se mbulimi real nga skemat publike mbetet i kufizuar.
Të dhënat tregojnë mungesë stabiliteti në mbrojtjen financiare të familjeve dhe nevojë për rishikim të rimbursimit të barnave dhe përmirësim të shërbimit shëndetësor parësor. Në kushtet e inflacionit, kostoja e shëndetit po kthehet në një nga presionet kryesore mbi mirëqenien e familjeve shqiptare.