
Kryeministri Edi Rama e cilësoi të papranueshëm reagimin e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, e cila i quajti deklaratat e tij për pagat “tymnajë populiste”.
Rama tha se gjyqtarët po kërkojnë rritje deri në 3 mijë euro në muaj, përmes vendimit gjyqësor, duke e quajtur këtë një përpjekje për t’i imponuar Qeverisë dhe Parlamentit kosto shtesë prej 37 milionë eurosh. Sipas tij, pagat aktuale të gjyqtarëve janë tashmë të barabarta me ato në vende të BE-së dhe më të larta se në rajon.
Ai akuzoi shoqatën se po sillet si parti politike, duke theksuar se qeveria nuk është në fushatë kundër gjyqësorit, por po ngre një problem publik serioz.
Shoqata e Gjyqtarëve reagoi se nuk kërkon rritje pagash, por mbrojtjen e Kushtetutës dhe pavarësisë së gjyqësorit, duke akuzuar qeverinë për presion dhe linçim publik, ndërsa çështja pritet të vendoset nga Gjykata Kushtetuese.