
Kosova po hyn sërish në zgjedhje të parakohshme, pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin. Kriza ka ngritur krahasime me Bullgarinë, ku zgjedhjet e përsëritura janë kthyer në normalitet politik.
Votuesit në Kosovë pritet të shkojnë në zgjedhje më 7 qershor 2026, për herë të tretë brenda një periudhe të shkurtër. Shkak është bllokimi institucional pas dështimit të deputetëve për të zgjedhur presidentin brenda afatit kushtetues. Pak vëzhgues e prisnin këtë skenar pas fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e dhjetorit. Albin Kurti arriti të formonte qeverinë, por zgjedhja e presidentit u kthye në pengesën kryesore politike.
Kriza ka nxjerrë në pah mungesën e kompromisit mes pushtetit dhe opozitës. Analistë të rajonit thonë se dështimi për të zgjedhur presidentin tregon polarizim të thellë dhe mosbesim mes Vetëvendosjes dhe partive opozitare.
Për Kosovën, kostoja nuk është vetëm e brendshme. Bllokimi politik dëmton imazhin e vendit jashtë, ngadalëson reformat dhe rrezikon ta paraqesë Kosovën si një shtet që prodhon zgjedhje, por jo zgjidhje.
Pyetja kryesore tani është nëse votimi i qershorit do të sjellë një shumicë funksionale, apo nëse Kosova do të hyjë në të njëjtin cikël që ka bllokuar Bullgarinë: zgjedhje të përsëritura, qeveri të brishta dhe institucione të dobëta.