
Nga Zenel Çeliku

Rizgjedhja e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike të Shqipërisë konfirmon se ai mbetet figura dominuese e opozitës shqiptare, pavarësisht debateve, përçarjeve dhe krizave të viteve të fundit. Ky zhvillim ka hapur shumë diskutime dhe interpretime të ndryshme.
Për mbështetësit e tij, rizgjedhja shihet si vazhdimësi e një lidershipi me përvojë dhe si përpjekje për të bashkuar opozitën kundër qeverisë. Në aspektin politik, ajo tregon se baza tradicionale e PD-së vazhdon ta konsiderojë Berishën figurën më të fortë përballë mazhorancës.
Megjithatë, sfida kryesore mbetet nëse kjo zgjedhje do ta ndihmojë Partinë Demokratike të sjellë bashkim real dhe rritje elektorale, apo do ta thellojë edhe më shumë polarizimin brenda opozitës dhe në politikën shqiptare në përgjithësi.
Kritikët argumentojnë se PD-ja ka nevojë për një brez të ri drejtuesish dhe për një frymë më moderne politike, larg radikalizmit, larg figurave të akuzuara për korrupsion dhe larg lidhjeve me krimin, në mënyrë që të rifitojë besimin e një elektorati më të gjerë.
E vërteta është se edhe brenda PD-së ka zëra që nuk duan të bëhen publikë, por që mendojnë se Sali Berisha duhet të largohet sa më parë. Sipas tyre, “berishizmi” dhe kryefjala “non grata” po e mbajnë peng opozitën dhe po e largojnë, shumë larg, nga ardhja në pushtet.
Pra, sipas këtij këndvështrimi, Berisha duhet të largohet, sepse në krye të PD-së ka pësuar humbje pas humbjesh. Kështu mendojnë shumë politikanë, politologë, media, por edhe partneri ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por këtu duhet ndalur për një moment. Mirë, le të largohet Berisha nga kreu i PD-së dhe madje le të largohet fare nga politika. Por në përplasjen me Lulzim Bashën, Berisha i tregoi opinionit publik, brenda dhe jashtë vendit, se kishte pas vetes më shumë se 400 mijë vota demokratësh.
Kësaj i thonë vërtet: “Hip në kalë se të vrava, zbrit nga kali se të vrava!”
Përballë kësaj panorame, çdokush mund të pyesë: kush në PD mund të marrë nga demokratët jo aq vota sa mori Berisha gjatë “Foltores” së famshme, por të paktën 5 për qind të tyre? Kush nga deputetët aktualë të PD-së mund ta arrijë një mbështetje të tillë?
Ka mendime se “Foltorja” e Berishës, edhe pse fitoi përballë Bashës, humbi thellë përballë Ramës. Kur analizojmë zhvillimet brenda PD-së, nuk duhet të mbetemi vetëm te problemet e së shkuarës. Shumë mendojnë se duhet hapur rruga drejt bashkimit të PD-së dhe të gjithë opozitës.
Nëse kjo parti vazhdon të shohë vetëm nga e shkuara, rrezikon të mbyllë edhe të ardhmen e saj. PD-ja ka qenë një forcë e rëndësishme e politikës shqiptare, por vitet e fundit është përballur me goditje të rënda politike dhe elektorale.
“Foltorja” fitoi ndjeshëm përballë grupit të Bashës, por në zgjedhjet e radhës u mund qartë nga Partia Socialiste. Sepse, edhe të dy bashkë, Berisha dhe Basha, nuk arritën ta mundnin dot PS-në dhe Edi Ramën.
Brenda dhe jashtë PD-së ka zëra të fortë që thonë se partia ka kaluar një periudhë të vështirë, me humbje të njëpasnjëshme. Sot ajo ndodhet përballë një realiteti të ri: në krye të saj është rizgjedhur një lider që nga shumëkush konsiderohet si i përjetshëm në PD, por që nuk ka zbatuar parimin se kryetari duhet të japë dorëheqjen kur humb zgjedhjet.
PD-ja miratoi një statut të ri, i cili parashikon se kur kryetari i partisë humb zgjedhjet e përgjithshme, largohet pa kthim. Ndërkohë, Berisha ka humbur disa herë dhe përsëri rizgjidhet në krye të partisë.
Zëra kritikë ndaj Berishës, si Ervin Salianji, Evi Kokalari, Alesia Balliu, Edmond Spaho dhe Ferdinand Xhaferri, kanë ironizuar rikandidimin e tij, duke e parë si një garë të Berishës përballë vetes.
Në një moment, Lulzim Basha deklaroi se “Foltorja” e asaj kohe iu mbivendos aksionit më të madh politik që kishte ndërmarrë PD-ja: çlirimit të zgjedhjeve dhe dhënies fund pandëshkueshmërisë së korrupsionit dhe lidhjeve të politikanëve me krimin.
Basha ka thënë gjithashtu se Sali Berisha u hakmor ndaj tij pas vendimit për pezullimin nga grupi parlamentar, ndërsa shtoi se aktualisht Berisha po e përdor Partinë Demokratike për t’u mbrojtur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjithsesi, Sali Berisha e ka shumë të qartë se brenda partisë së tij nuk ka asnjë emër që rrezikon seriozisht pozicionin e tij si lider. Ai kandidoi pa konkurrent, por sot të gjithë e dinë se PD-ja nuk ka një figurë politike mjaftueshëm të fortë për të sfiduar “Madhërinë e Tij” në krye të partisë.
Pra, për të mos u zgjatur, shumë thonë se Berisha duhet patjetër të largohet nga PD-ja dhe nga politika. Por, brenda PD-së, sot për sot, ai mbetet i pakonkurrueshëm.
Kjo është arsyeja pse them: Berisha është në situatën “hip në kalë se të vrava, zbrit nga kali se të vrava”.
Megjithatë, për momentin, Berisha është ende i hipur në kalë dhe nuk duket se ka kush ta “vrasë” politikisht.