
Shqipëria prezantoi në Bruksel prioritetet e saj për kryesinë e CEFTA-s në vitin 2026, me fokus lehtësimin e tregtisë rajonale dhe afrimin me Tregun Unik të Bashkimit Evropian.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në mbledhjen ministrore për prioritetet e CEFTA-s, ku Shqipëria mban kryesinë e radhës.
Ibrahimaj tha se CEFTA mbetet një platformë e rëndësishme për përgatitjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit ekonomik me BE-në.
Prioritetet e Shqipërisë për vitin 2026 përfshijnë uljen e kohës së pritjes në kufi, digjitalizimin e procedurave tregtare dhe përafrimin më të thellë me standardet evropiane.
Në takim u theksua edhe rëndësia e nismave SEED+ dhe Green Lanes, harmonizimi i orareve në pikat kufitare dhe mundësia e funksionimit 24/7 në disa prej tyre.
Shqipëria mbështet gjithashtu njohjen reciproke të nënshkrimeve elektronike, vulave elektronike dhe rezultateve të testimit të produkteve, për të lehtësuar tregtinë pa dokumente fizike.
Një tjetër pikë e rëndësishme është njohja e kualifikimeve profesionale, që synon të lehtësojë lëvizjen e fuqisë punëtore në rajon.
Ibrahimaj e lidhi këtë proces edhe me ecurinë e negociatave të Shqipërisë me BE-në, pas përmbushjes së standardeve të ndërmjetme për Klasterin 1, “Themeloret”.