
Thirrjet anti-shqiptare janë përsëritur në disa ndeshje sportive në Maqedoninë e Veriut, ndërsa institucionet dhe federatat po kritikohen për reagim të ngadaltë dhe masa të pamjaftueshme.
Rasti më i fundit u raportua në ndeshjen e javës së 29-të mes Vardarit dhe Tikveshit, ku grupi i tifozëve të Vardarit, “Komitët”, bëri thirrje urrejtjeje kundër shqiptarëve.
Sipas Portalb.mk, më shumë se një javë pas ndeshjes, Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut nuk kishte marrë masë ndaj Vardarit si klub pritës.
Thirrje të ngjashme anti-shqiptare janë raportuar edhe në ndeshje të tjera futbolli dhe basketbolli. Ato janë dëgjuar në takime ku kanë luajtur Vardari, Bashkimi, Pelisteri dhe Tikveshi, si edhe në një ndeshje basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.
Deri tani, Vardari është dënuar nga federata me një ndeshje me dyer të mbyllura dhe 5 mijë euro gjobë për thirrje nacionaliste dhe anti-shqiptare.
Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ka shprehur shqetësim për përsëritjen e këtyre rasteve në tribunat sportive. Sipas komisionit, ato nuk janë incidente të izoluara, por tregues i një problemi më të gjerë me intolerancën, diskriminimin dhe gjuhën e urrejtjes mbi baza etnike.
Komisioni u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse, federatave sportive dhe klubeve që të marrin masa më të forta për parandalimin dhe ndëshkimin e këtyre rasteve. Ai kërkon edukim të tifozëve, kontroll më të rreptë në stadiume dhe zbatim të vazhdueshëm të ligjit.