
Policia në Mal të Zi ka arrestuar një shtetas iraniano-turk të kërkuar nga Shtetet e Bashkuara për dyshime për sulme të mëdha kibernetike.
I dyshuari, 39 vjeç, u ndalua në Kotor, në një operacion të zhvilluar në bashkëpunim me FBI-në.
Autoritetet malazeze e identifikuan vetëm me inicialet A.B.
Sipas policisë, ai kërkohet nga një gjykatë në Nju Jork për mashtrim kompjuterik, hakerim, vjedhje identiteti dhe krim të organizuar.
Autoritetet thonë se sulmet kibernetike kanë shkaktuar dëme mbi 3.4 miliardë dollarë.
Sipas hetimeve, nga viti 2013 e në vijim, i dyshuari ka kryer sulme ndaj infrastrukturës amerikane, përfshirë më shumë se 150 universitete.
Të dhënat e vjedhura dyshohet se janë përdorur në favor të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe institucioneve të tjera iraniane.
I arrestuari pritet të dalë para gjykatës në Podgoricë, e cila do të shqyrtojë kërkesën për ekstradim në SHBA.
Autoritetet amerikane nuk kanë konfirmuar nëse ky arrestim lidhet me aktakuzën e vitit 2018 ndaj nëntë shtetasve iranianë për hakerim universitetesh dhe organizatash.