
Çmimet e qumështit, bulmetit dhe vezëve në Shqipëri janë rritur aq shumë sa vendi renditet mes më të shtrenjtëve në Europë për këto produkte bazë.
Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2025 çmimet në këtë grup ishin 35.6% më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian.
Shqipëria kishte indeksin 135.6, pothuajse sa Norvegjia, ndërsa më shtrenjtë rezultonte vetëm Zvicra.
Rritja ka qenë e shpejtë. Në vitin 2022, çmimet ishin 12.3% mbi mesataren e BE-së. Në vitin 2025, diferenca arriti në 35.6%.
Krahasimi me rajonin e bën më të qartë problemin. Serbia ishte në 107.1% të mesatares së BE-së, Kroacia në 111.2%, Mali i Zi në 95%, Bosnjë-Hercegovina në 92% dhe Maqedonia e Veriut në 89.6%.
Kjo do të thotë se konsumatorët shqiptarë paguajnë më shtrenjtë se shumica e rajonit dhe Europës për produkte që janë pjesë e shportës bazë ushqimore.
Ndryshe nga Zvicra dhe Norvegjia, ku çmimet e larta shoqërohen me paga më të larta, në Shqipëri kjo peshë ndihet më fort në buxhetet familjare.
Sipas “Monitor”, rritja lidhet me rënien e numrit të krerëve të blegtorisë, kostot më të larta të ushqimit për kafshët, varësinë nga importet dhe kërkesën më të madhe nga turizmi.
Në dekadën e fundit, sektori i blegtorisë është tkurrur ndjeshëm, i ndikuar edhe nga emigracioni dhe plakja e popullsisë në zonat rurale.
Presion shtesë për fermerët pritet të sjellë edhe përafrimi me standardet e BE-së, pasi shumë ferma të vogla nuk kanë mundësi të përballojnë investimet e nevojshme.
Të dhënat tregojnë se rritja nuk kufizohet vetëm te bulmeti. Në vitin 2025, çmimet e ushqimeve në Shqipëri kaluan për herë të parë mesataren e Bashkimit Europian, duke arritur në 102.9% të saj.