
Fuqitë ndërkombëtare po diskutojnë në Sarajevë zgjedhjen e përfaqësuesit të ri të lartë në Bosnje e Hercegovinë, zyrtarit që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.
Marrëveshja e Dejtonit i dha fund luftës në Bosnje në vitin 1995.
Përfaqësuesi i Lartë ka kompetenca të gjera: mund të imponojë vendime, të ndryshojë ligje dhe të shkarkojë zyrtarë në Bosnje e Hercegovinë.
Në garë përmenden disa diplomatë evropianë, mes tyre italiani Antonio Zanardi Landi, i dërguari francez Rene Troccaz, si dhe dy emra britanikë, Karen Pierce dhe Stuart Peach.
Nëse nuk ka marrëveshje për një emër të ri, Christian Schmidt do të qëndrojë në detyrë deri në një vendim tjetër.
Diskutimi zhvillohet në një kohë kur roli i Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë është bërë çështje debati. SHBA kërkon ripërcaktim gradual të rolit të saj, ndërsa disa vende evropiane kundërshtojnë dobësimin e kompetencave.
Rusia, Kina dhe përfaqësues politikë nga Republika Sërpska kërkojnë mbylljen e kësaj zyre.