
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se interesa nga vendet e rajonit mund të ndikojnë në nxitjen e protestave kundër projekteve turistike në Shqipëri.
Në emisionin “Trialog” në RTSH, Ibrahimaj tha se Shqipëria është në konkurrencë me vendet fqinje për investime dhe turistë.
Sipas saj, vendet e rajonit kanë interes që investimet turistike të orientohen drejt tyre dhe jo drejt Shqipërisë.
Ibrahimaj tha se protestat nuk nxiten nga një rrymë e vetme, por nga interesa të ndryshme.
Ajo shtoi se në protesta ka qytetarë që dalin për kauza që i konsiderojnë të drejta, por edhe aktorë që përpiqen t’i përdorin ato për qëllime të tjera.
Ministrja përmendi “persona, shtete dhe entitete” që, sipas saj, mund të nxisin protesta, por nuk dha emra konkretë.
Deklaratat vijnë në një kohë kur në vend ka pasur protesta kundër projekteve turistike në zona bregdetare.