
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se mund të japë dorëheqje nga posti i presidentit dhe se po shqyrton kandidimin për kryeministër.
Në një intervistë për Radio Beograd 1, Vuçiç tha se dorëheqja mund të ndodhë brenda pak muajsh, “ndoshta edhe më herët”.
Ai tha se vendimi nuk do të paraqitet si shkurtim mandati, por si dorëheqje.
Vuçiç shtoi se në Partinë Progresive Serbe po diskutohet çdo ditë mundësia që ai të kandidojë për kryeministër.
Ai tha gjithashtu se partia po shqyrton emrin e kandidatit për president, por nuk do ta bëjë ende publik.
Vuçiç njoftoi se më 27 qershor do të prezantohet edhe emri i listës zgjedhore dhe parimet mbi të cilat do të ndërtohet ajo.
Sipas tij, lista do të përfshijë studentë, të rinj dhe figura të tjera që ai i cilësoi si njerëz energjikë dhe të përgjegjshëm.
Serbia është përballur muajt e fundit me protesta të mëdha të drejtuara nga studentët, që kërkojnë zgjedhje të parakohshme dhe ndryshime politike.