
Më shumë se një në çdo tetë biznese në Shqipëri operon në shërbimin e ushqimit dhe pijeve, përqindja më e lartë ndër vendet europiane të krahasuara.
Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2023, të përpunuara nga “Monitor”, vendi kishte 15.445 bare, restorante, kafene dhe biznese të ngjashme. Ato përbënin 12.28% të ndërmarrjeve, ose 2.6 herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian.
Shqipëria renditet gjithashtu e treta për numrin e këtyre bizneseve në raport me popullsinë, me 6.63 për çdo 1.000 banorë. Mesatarja e BE-së është 3.5.
Të dhënat tregojnë një ekonomi të përqendruar fort te shërbimet e vogla. Hyrja e lehtë në treg dhe rritja e turizmit kanë shtuar numrin e lokaleve, por sektori mbetet i fragmentuar, me konkurrencë të lartë, mungesë punonjësish dhe jetëgjatësi të pasigurt.