
Qeveria ka ulur fondet për zhvillimin rural dhe mbështetjen e fermerëve, ndërsa ka shtuar ndjeshëm buxhetin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Sipas rishikimit të buxhetit, programi për zhvillimin rural, bujqësinë, blegtorinë, agroindustrinë dhe marketingun është shkurtuar me 113.7 milionë lekë.
Financimi i këtij programi zbret nga 7.69 miliardë lekë në 7.58 miliardë lekë.
Shkurtimi është 1.5% e fondit fillestar.
Programi mbështet fermerët, blegtorët, prodhimin vendas, agropërpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore.
Ulja vjen në një periudhë kur disa tregues të bujqësisë dhe blegtorisë janë në rënie.
Sipas INSTAT-it, në vitin 2025 prodhimi i grurit ra me 10.1%, ai i patates me 7.2% dhe prodhimi i pemëve frutore me 12.8%.
Rënie pati edhe te ullinjtë dhe prodhimi në serra.
Në blegtori, numri i deleve, dhive dhe derrave u ul gjatë vitit 2024.
Prodhimi i qumështit ra me 2.7%, ndërsa prodhimi i mishit në peshë të gjallë me 3.8%.
Në të njëjtin rishikim buxhetor, Fondit Shqiptar të Zhvillimit i janë shtuar 7.5 miliardë lekë.
Buxheti i FSHZH-së rritet nga 24.8 miliardë lekë në 32.3 miliardë lekë.
Kjo përfaqëson një rritje prej 30.2%.
Pjesa më e madhe e shtesës shkon për zërin “Programe Zhvillimi”.
Ky program merr 5.5 miliardë lekë më shumë, duke kaluar nga 14.9 miliardë lekë në 20.4 miliardë lekë.
Sipas “Monitor”, ky zë mund të përfshijë projekte infrastrukturore, rikualifikim urban, rehabilitim rrugësh, sheshe dhe investime në zona me potencial turistik ose ekonomik.
Financimi për “Infrastrukturën Vendore dhe Rajonale” rritet me 1.4 miliardë lekë.
Programi “100 Fshatrat” merr 600 milionë lekë shtesë, duke e çuar fondin total në 3.1 miliardë lekë.
Rishikimi tregon një zhvendosje të qartë të fondeve: më pak para direkte për mbështetjen rurale dhe më shumë financim për projekte zhvillimi të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.