
Shqipëria renditet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin mes vendeve kryesore të nisjes ose tranzitit të heroinës në Europë, sipas rasteve të sekuestrimeve të raportuara për periudhën 2021-2024.
Të dhënat janë pjesë e aneksit statistikor të Raportit Botëror të Drogave 2026.
Në hartën e UNODC-së, Shqipëria shfaqet në të njëjtën kategori me Turqinë, Bullgarinë, Greqinë, Italinë, Spanjën, Francën, Belgjikën dhe Holandën.
Kjo kategori përfshin vendet që raportohen si pika kryesore nisjeje ose tranziti për ngarkesat e heroinës.
Raporti thotë se tregu global i opioidëve po ndryshon, pas ndalimit të prodhimit të drogës në Afganistan në vitin 2022.
Sipas UNODC-së, rënia e prodhimit të opiumit dhe heroinës në Afganistan mund t’i shtyjë rrjetet kriminale të ndryshojnë rrugët e trafikut ose të kalojnë te substanca të tjera sintetike.
Në një tjetër hartë të raportit, Shqipëria shfaqet edhe mes vendeve europiane ku sekuestrimet e kokainës janë dyfishuar ose më shumë në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023.
Raporti vëren se trafiku i kokainës drejt Europës po përshtatet me rrugë dhe pika të reja hyrjeje.
Sipas UNODC-së, në Europën Perëndimore dhe Qendrore, qendrat kryesore të trafikut janë zhvendosur pjesërisht nga portet e Belgjikës, Gjermanisë dhe Holandës drejt Francës, Portugalisë dhe Spanjës.
Raporti thekson se grupet kriminale po përdorin ngarkesa më të vogla dhe metoda më të kujdesshme transporti, ndërsa portet më të vogla po fitojnë rëndësi.
Të dhënat tregojnë se Shqipëria vijon të shfaqet në hartat ndërkombëtare të trafikut të drogës, si për heroinën, ashtu edhe për rritjen e sekuestrimeve të kokainës.