
Numri i bizneseve të lidhura me turizmin në Berat, Gjirokastër, Përmet dhe Sarandë është më shumë se dyfishuar që nga viti 2019, sipas Bankës Botërore.
Rritja ka shoqëruar investimet publike në 12 zona turistike dhe rehabilitimin e afro 200 mijë metrave katrorë hapësira publike, përmes një projekti të Bankës Botërore dhe qeverisë shqiptare.
Në vitin 2024, Shqipëria regjistroi 82% më shumë vizitorë se në 2019. Në të njëjtën periudhë, Berati pothuajse katërfishoi numrin e turistëve, ndërsa Gjirokastra e gjashtëfishoi.
Banka Botërore thotë se rritja ka nxitur hapjen e bujtinave, restoranteve dhe shërbimeve të reja turistike, si edhe ka krijuar mijëra vende pune në zonat e përfshira në projekt.