27.10.2026
Rajoni

Kurti kërkon reagim të BE-së për diskriminimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar Bashkimit Evropian të reagojë ndaj asaj që e cilësoi si diskriminim sistematik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Kurti i bëri deklaratat gjatë një takimi me përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile nga Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Sanxhaku.

Ai tha se shqiptarët në jug të Serbisë vazhdojnë të përballen me barriera në punësimin në institucionet publike dhe me nënpërfaqësim, ndërsa kërkoi që parimet evropiane për barazinë dhe sundimin e ligjit të zbatohen edhe në këto zona.

Kurti kritikoi gjithashtu vizitën e fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiç në rajon, duke e akuzuar për përdorim të gjuhës denigruese ndaj shqiptarëve.

Sipas tij, Kosova ka miratuar rreth 2.1 milionë euro për projekte në mbështetje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por transferimi i fondeve është bllokuar nga autoritetet serbe.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.