17.09.2026
Politike

Kuvendi voton sot pagat e gjyqtarëve

Projektligji i mazhorancës shkon sot në seancë, ndërsa Gjykata e Lartë i ka kërkuar Kuvendit të mos e miratojë në formën aktuale.

Kuvendi voton sot ndryshimet në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku përfshihet edhe formula e re e pagave të magjistratëve.

Drafti i Partisë Socialiste parashikon rritjen e pagës referuese me rreth 8,500 lekë. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë kërkuar një rritje shumë më të madhe, rreth 80 mijë lekë.

Gjykata e Lartë i kërkoi një ditë më parë Kuvendit të mos e votojë projektligjin në formën aktuale. Ajo tha se përfaqësuesit e gjyqësorit u njoftuan më pak se dy orë përpara dëgjesës dhe se nuk iu vunë në dispozicion të gjitha ndryshimet e bëra në draft.

Gjykata kërkon gjithashtu që Kuvendi të bëjë publik vlerësimin financiar të qeverisë dhe të shqyrtojë sërish projektligjin në raport me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Komisioni i Ligjeve e miratoi draftin më 15 shtator me tetë vota të mazhorancës dhe tre kundër.

Rreth autorit

Redaksia TIR-FAX

Redaksia TIR-FAX

Administrator

Redaksia e agjencisë TIR-FAX. Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota.