
Ministria e Financave u ka kërkuar KLGJ-së dhe KLP-së të ribëjnë listëpagesat e gushtit sipas metodologjisë së përdorur deri në korrik, duke thënë se formula e re e pagave nuk mund të zbatohet ende.
Ministri i Financave Petrit Malaj tha se pagat nuk janë bllokuar, por KLGJ dhe KLP kanë dorëzuar listëpagesa të llogaritura me një metodologji të re. Sipas tij, ndryshimi kërkon më parë miratimin e ndryshimeve ligjore nga Kuvendi.
Malaj tha se sapo dy institucionet të dorëzojnë listëpagesat sipas skemës ekzistuese, Thesari do t’i ekzekutojë menjëherë. SPAK, Gjykata Kushtetuese dhe institucione të tjera të drejtësisë i kanë marrë normalisht pagat e gushtit pasi kanë përdorur metodologjinë në fuqi.
Kryeministri Edi Rama kritikoi ndërkohë KLGJ-në dhe KLP-në për rritjen e pagave, duke i cilësuar dy institucionet si “fytyra e dështimit të reformës në drejtësi”. Ai tha se pagat e drejtësisë janë disa herë më të larta se ato të administratës publike dhe kundërshtoi mënyrën se si është kërkuar rritja e tyre.