Qeveria ka miratuar projektligjin për krijimin e rezervave minimale të naftës dhe nënprodukteve të saj, duke ndryshuar mënyrën se si mbahet rezerva e sigurisë së vendit.
Sipas projektligjit, do të krijohet Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Hidrokarbureve. Ai do të ruajë dhe administrojë rezervat dhe do të vendosë nxjerrjen e tyre në treg kur furnizimi të jetë në rrezik.
Aktualisht, rezervat mbahen nga operatorët privatë. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, tha se projektligji e ndryshon plotësisht këtë sistem.
Qeveria thotë se ndryshimi synon të garantojë furnizimin me karburante në raste ndërprerjesh dhe të përafrojë legjislacionin shqiptar me rregullat e Bashkimit Europian për rezervat e naftës.
Projektligji duhet të miratohet nga Kuvendi për të hyrë në fuqi.